Java e Modës në Paris, Dior prezanton koleksionin e ri me modelet në miniaturë

Nga A2 CNN
6 Korrik 2020, 21:40 | Showbiz

Shtëpia e famshme franceze e modës, Dior, diti të jetë edhe një herë tejet kreative dhe origjinale në prezantimin e fundit të koleksionit të saj, kur në vend të parakalimit të modeleve me këmbët super të gjata në pasarel, veshjet u shfaqën mbi manekinë në miniaturë. Për shkak të pandemisë, java e modës ne Paris këtë herë do të prezantohet online ose në formën e një filmi dhe Dior solli pamjet e një ëndrre me nimfa dhe sirena.

“Në mendjen time krijimtaria në fushën e modës, është shumë afër një ëndrre. Ti mund t’u japësh njerëzve një ëndërr, nëse i fton ata të jetojnë ëndrrat e tua me ty. Menjëherë mendova të krijoj një film, pasi, sipas meje, vetëm një film mund të përcjellë një emocion të tillë”, shprehet Maria Grazia Chiuri, drejtore kreative, Dior.

Chiuri thotë se për këtë shfaqje dhe këtë koleksion, ka punuar ndërsa ishte e izoluar në Romë për shkak të koronavirusit, duke u koordinuar online me rrobaqepëset dhe stafin e produksionit të filmit. Realizimi i materialit filmik iu besua regjisorit të famshëm të filmit  "Gomorrah", Matteo Garrone. Koleksioni i veshjeve u frymëzua nga krijimtaria e artistes surealiste, njëkohësisht fotografe, Lee Miller dhe erdhi me dizajne komplekse, ku nuk mungonin detajet e qëndisura apo gurët.

"Ne e realizuam këtë projekt në një moment mjaft të veçantë të jetës sonë. Ndjeva nevojën të tregoj që kjo traditë e rëndësishme, industria e modës, atelietë janë ende të gjalla në Paris”.

Pas shfaqjes manekinët në miniaturë, janë përgatitur që t’iu dërgohen klientëve kryesorë. Hera e fundit që është zgjedhur një rrugë e tillë ka qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht kësaj forme jo të prekshme prezantimi, drejtuesja kreative është e bindur që do të arrijë të përcjellë emocion te publiku virtual.

“Është një eksperiencë ndryshe, por unë mendoj që është një eksperiencë shumë e bukur”, u shpreh Chiuri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos