Jehona e dekriminalizimit, zëri i qytetarëve për 5 Kryebashkiakët “me probleme”

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2020, 15:38 | Aktualitet
Jehona e dekriminalizimit, zëri i qytetarëve për 5

Që nga dita e zgjedhjeve lokale kanë kaluar 7 muaj. Por demokratët nisën valën e denoncimeve për Kryebashkiakët. Valdrin Pjetrit të Shkodrës i publikuan këtë dokument, ku duket dënimi në Itali për drogë. Ai fillimisht mohoi akuzat. Më tej ai dha dorëheqjen dhe Voltana Ademi qëndron në detyrë deri në gjetjen e një zgjidhje.

Në qytetin e lashtë ku ka shumë trashëgimi kulturore dhe ku ndodhet edhe djepi i artit apo kulturës, gjendet edhe zgjidhja e përshtatshme për këtë situatë. Njerëzit thonë se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje aty ku e sheh se ka forcë.

Agim Kajmaku u denoncua se në Greqi mbante emrin Jorgo Tota dhe është arrestuar sepse ka falsifikuar kartëmonedha siç duket në dokument, por në Shqipëri, sapo mori detyrën, ai premtoi se do të punonte për Vorën. Në këto ditë kur tërmeti e ka goditur rëndë zonën e tij, qytetarët kërkojnë prezencën e kryetarit. “Familja pa kryefamiljar dhe Bashkia pa kryetar nuk ka kuptim”, thonë qytetarët.

Një tjetër krahinë me tradita është edhe Mallakastra, ku një pjesë e madhe e banorëve janë të punësuar në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Edhe aty zgjedhjet i fitoi kandidati i vetëm. Edhe aty opozita akuzoi Qerim Ismailajn se ishte dënuar në të kaluarën, por edhe ai i mohoi akuzat. Qytetarët janë të ndarë në opinionet e tyre. Disa thonë se gabimet e rinisë nuk duhet të shfaqen pas kaq shumë vitesh, ndërsa të tjerë duan që kryetari i Bashkisë të mos ketë të kaluar kriminale.

Në Vaun e Dejës, demokratët e denoncuan Mark Babanin duke e akuzuar se kur ndodhej në Itali mbante 3 emra dhe u dënua për vjedhje makinash. Ndërsa në Bulqizë, qytetin e kromit, ditët e fundit u përhap edhe skandali i videos që u denoncua nga opozita dhe media, ku pretendohej se shfaqej Kryebashkiaku Lefter Alla duke konsumuar kokainë në një lokal. Kryetari i bashkisë tha se do të fliste një herë tjetër, ndërsa bashkëqytetarët e tij janë të ndarë mes mbështetësve që thonë se nuk është ai personi në video, dhe të tjerëve që thonë se nuk duhet ta bënte atë veprim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos