
Boris Johnson iu rikthye funksioneve si kryeministër i Britanisë së Madhe, me lutjen ndaj qytetarëve për të mos neglizhuar në rregullat e distancimit social.
Tre javë pas shkëputjes nga Downing Street, pas shtrimit në spital si pasojë e koronavirusit dhe rekuperimit në një fshat të Anglisë, i pari i Londrës siguroi britanikët se kishte rimarrë kontrollin në betejën kundër pandemisë që për pak nuk i mori jetën.
Dukshëm i prekur, me flokët më të gjata e të shkujdesur se zakonisht, Johnson falënderoi të gjithë ata që ishin angazhuar në mungesë të tij dhe ju referua fjalimit të famshëm të Churchillit kur tha se fundi e fillimi ishte në horizont dhe se ka shenja reale se Britania po shënon progres.
“Po fillojmë të kthejmë valën e pandemisë. Nëse ky virus do të ishte një agresor fizik, dhe bazuar në eksperiencën time është i tillë, atëherë ky është momenti kur ne kemi filluar të ndeshemi me të në dysheme. Ky është momenti kur ne kalojmë në avantazh. Besoj së po mbërrijmë në fund të fazës së parë të kësaj lufte. Por ky është edhe momenti i rrezikut maksimal”, vijoi më tej Johnson, duke thënë se nuk është momenti për të ulur vigjilencën ndaj virusit.
Sipas kryeministrit, kur pandemia të jetë vënë nën kontroll, do të fillojë edhe lehtësimi i masave të rrepta, ndërsa qeveria po harton strategjinë për rihapjen e ekonomisë. Qeveria, partitë politike dhe këshilltarët shkencorë janë të ndarë mbi mënyrën se si ekonomia e 5-të më e madhe në botë do të rindezë motorët.
Mbretëria e Bashkuar është një prej me të prekurave nga pandemia, me numrin e vdekjeve që i kapërceu 20 mijë të shtunën. Por kufizimet më strikte në kohë paqeje e kanë lënë ekonominë në recesionin më të thellë në 3 shekuj dhe borxhi ka arritur nivelet më të larta që prej Luftës së Dytë Botërore. (A2 Televizion)