Kryeministri Edi Rama prezantoi të mërkurën ndryshimet e parashikuara në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, që kap shifrën mbi 10 miliardë euro.
“Mesazhi im është shumë i qartë: ne duam më shumë biznese, më shumë kompani, më shumë investime vendase dhe të huaja. Duam sa më shumë të pasur në Shqipëri, sepse problemi nuk janë të pasurit, por hendeku mes atyre që kanë më shumë dhe atyre që kanë më pak. Falë rritjes së ekonomisë jemi gati për të hedhur një hap të shumëdëshiruar dhe shumëpritur, ulim normën e TVSH-së për ushqimet bazë, nga 20 në 6% për 54 produkte”, tha Rama, përcjell A2 CNN. “Vetëm me këtë lëvizje shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë euro në vit, që më parë i kalonin shtetit. Do të garantojmë që ulja të mbrohet nga abuzuesit”.
Gjithashtu Rama tha se do të rritet me 1% norma standarde të TVSH-së, si një rishpërndarje e ndershme. Ndërsa nuk do të rritet norma e tatim fitimit të sipërmarrjes, që mbetet në 15%. “Ne e tatojmë biznesin e madh në normën më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Por rrisim tatimin e dividentit nga 8 në 15%”, tha Rama.
Kryeministri konfirmoi uljen e pragut të aplikimit të TVSH-së në 5 milionë lekë. “Kjo lëvizje duhet të shërbejë edhe si paralajmërim për bizneset nën 5 milionë lekë, që të mos luajnë me faturat”, tha Rama.
Rama shtoi se do të rritet norma e TVSH-së në hoteleri, nga 6% në 10%, duke përjashtuar agroturizmin. “Do të vendosim supertaksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh dhe refuzojnë t’i japin me qira. Supertaksë prone për vilat në bregdet dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Supertaksë edhe për makinat e luksit që hyjnë nga jashtë”.
Gjithashtu ai shtoi: “Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës, ndërkohë që taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim përmes drejtorisë përkatëse të qarkullimit rrugor”. (A2 Televizion)