Disa qindra banorë të qytetit Kherson në Ukrainë, të pushtuar nga forcat ruse, protestuan të dielën në rrugët kryesore, duke mbajtur flamujt e vendit të tyre në duar e duke thërritur parulla kundër Rusisë.
Banorët qëndruan vetëm disa metra larg ushtarëve rusë, të cilët nuk lëvizën nga pozicionet e tyre dhe e ndoqën protestën nga distanca, duke mos reaguar edhe kur u quajtën “fashistë” nga banorët e Khersonit.
Sipas nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të qytetit, rusët po përpiqen të organizojnë një pseudo referendum në këtë qytet port, që ndodhet në jug të Ukrainës, për të krijuar një tjetër krahinë separatiste, njëjtë siç bënë me Krimenë, apo të ashtuquajturat Republika Popullore në Donetsk dhe Luhanks. Ndërsa kryebashkiaku, Ihor Kolykhaiev, tha se protesta tregoi se qyteti është pjesë e Ukrainës. Ai gjithashtu tha se mban kontrollin administrativ të qytetit. “Këtu jetohet normalisht, të gjithë këshilltarët bashkiakë janë në punë dhe ngrihet flamuri i Ukrainës”, tha ai në një postim në Facebook.
Gjatë një proteste të ngjashme të mërkurën më 9 mars, rreth 400 ukrainas u arrestuan, tha komanda e lartë ushtarake e Ukrainës në një deklaratë. (A2 Televizion)