Kaos plehrash në Shkodër, prefektja: Bashkia premtoi zgjidhjen për 24 orë, po monitorojmë

Nga A2 CNN
17 Gusht 2022, 12:39 | Aktualitet

Shkodra prej 48 orësh po përballet me një situatë kaotike për pastrimin e qytetit. Në të gjitha rrugët e Shkodrës, mbetjet e bëra pirg janë imazhi i këtyre ditëve në kryeqendrën e veriut.

Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni e cila ka folur në lidhje me këtë situatë dhe masat që ka ndërmarrë institucioni i prefektit.

“Institucioni i Prefektit pati një takim me kryetarin e Bashkisë. Sipas informimit, të nënkryetarit, jemi në procedurë kontraktimi dhe në këtë periudhë vakumi është vënë në shërbim një firmë që ka patur vështirësi për të njohur terrenin. Institucioni i prefektit është i gatshëm të ofrojë çdo ndihmë të mundshme”, ishin fjalët e saj.  

Sipas prefektes Angoni përballe kësaj situate të paprecedentë, i është lënë afat 24 orë për zgjidhjen e kësaj situate e cila vjen në kulmin e sezonit turistik. “Sipas Bashkisë, brenda 24 orëve do të garantohet pastrimi i qytetit, ne jemi në monitorim”, deklaroi prefektja Angoni.

Nga ajo çfarë mësohet nga Bashkia Shkodër, shkak për këtë situatë është bërë përfundimi i kontratës me firmën e pastrimit dhe pritet zgjidhja deri në lidhjen e një kontrate të re për menaxhimin e mbetjeve urbane në Shkodër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos