Karvani me emigrantë drejt SHBA-së, policia e Guatemalës përdor shkopinj dhe gaz lotsjellës

Nga A2 CNN
18 Janar 2021, 15:03 | Bota
Karvani me emigrantë drejt SHBA-së, policia e Guatemalës

Karvani me emigrantë u përlesh me ushtrinë dhe policinë e Guatemalës në kufirin me Hondurasin, gjatë fundjavës. Ekipi i CNN, dëshmoi reagimin e forcave të rendit dhe trupave me gaz lotsjellës dhe goditjen e emigrantëve me shkopinj gome.

Mijëra tentuan të kalonin përmes një shtegu sigurie, por trupat e Guatemalës përdorën forcë deri te manovrat me shpërthime për të shtyrë pas një grup njerëzish, ku kishte dhe fëmijë. Disa emigrantë janë ndaluar gjatë këtyre zhvillimeve.

CNN nuk ka mundur që të konfirmojë se sa persona janë lënduar. Qeveria e Guatemalës tha se deri në 8 mijë emigrantë kanë hyrë në vend nga Hondurasi, që prej së premtes. Ata po tentojnë të gjejnë qasje në autostradën drejt Meksikës dhe më pas të përfundojnë në kufirin me SHBA-në.

Rrënimi ekonomik, i shkaktuar nga pandemia koronavirus, bashkë me dy uraganët shkatërrues që goditën rajonin vitin e kaluar, kanë shtyrë mijëra persona që t’i bashkohen karvanit drejt Amerikës, për t’i shpëtuar varfërisë dhe dhunës në vendin e tyre.

Ministri i Jashtëm i Guatemalës u bëri thirrje autoriteteve të Hondurasit që të bëjnë më shumë për të, “frenuar largimin masiv të banorëve të saj”. Instituti Kombëtar i Emigracionit i Hondurasit u përgjigj në rrjete sociale duke theksuar se janë përforcuar 3 pikat kufitare mes vendeve. Ndërsa, qeveria e Meksikës ka dërguar trupa të Gardës Kombëtare në kufirin jugor me Guatemalën, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve në vend, teksa ata përpiqen të arrijnë në Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos