Këlliçi: Shqiptarët kanë përballë pushtetarë që nuk i tremben aspak ligjit

Nga A2 CNN
7 Korrik 2021, 10:26 | Politikë
Këlliçi: Shqiptarët kanë përballë

Belind Këlliçi ishte i ftuar në studion e “Ditari” në A2, ku komentoi arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjës. Këlliçi nënvizoi se Partia Demokratike ka vite që denoncon dhe koha i ka dhënë të drejtë.

“Shqiptarët duhet të kuptojnë që kanë përballë pushtetarë që nuk i tremben aspak ligjit dhe e shohin veten mbi të. Duhet të shohim zyrtarë që abuzojnë me fonde publike që mbajnë përgjegjësi, të dënohen dhe t’i sekuestrohen pasuritë dhe t’i kthehen në një farë mënyre buxhetit të shtetit. Zullumi është trashur aq shumë, sa nuk mund të fshihet më. Nga një skandal çdo dy javë ka pasur në skenën politike dhe janë pjekur kushtet tani. Duhet një drejtësi e pavarur, e paanshme dhe që nuk përdor dy standarde”, tha Këlliçi.

“Kur ne kemi bërë denoncime që në fillim, qytetarët dhe mbi të gjitha kryeministri Edi Rama thonte që janë shpifje. Koha ka treguar që kemi pasur të drejtë. Ne i bëmë këto denoncime që politika të pastrohet nga këta individë, pasi nëse janë këta nuk i vjen koha të rinjve dhe profesionistëve”, shtoi Këlliçi.

Në lidhje me analizën e brendshme të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi tha: “Nuk kemi ende një përgjigje nga SPAK për të gjitha akuzat që kemi bërë për zgjedhjet. Kanë kaluar dy muaj tashmë. Ka pasur një masakër zgjedhore dhe tani kemi barrën për të provuar dhe për të bërë publike provat e akuzave që kemi hedhur këto muaj. Nga ana tjetër, edhe ne duhet të bëjmë një analizë të plotë dhe të mirëfilltë”.

Sa i përket prioriteteve të PD-së në rikthimin në Parlament, Këlliçi tha: “Në një vend ku ende nuk kemi Parlament legjitim, sot do të tentohet edhe kapja e AMA-s. Duhet të kemi demokraci normale në Shqipëri”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos