
“Nga primaret ka rivitalizim dhe energji të re, si dhe interes të madh për ndryshimet që do të vijnë më pas si dhe për fushatën e 14 majit, sepse njerëzve i ka dalë prej hundesh mënyra e jetesës në Tiranë”, ky është mendimi i kandidatit për primarët e Tiranës në Partinë Demokratike, Gert Bogdani.
Por si i cilëson ai gjashtë rivalët e tjerë demokratë për postin e kryebashkiakut të kryeqytetit, që do të zgjidhet vitin e ardhshëm? “ Normalisht jemi në një garë. Unë kam një eksperiencë në qeverisjen e pushtetit lokal, si rrjedhojë nuk humbim kohë dhe do fillojmë punën nga dita zero. Kemi një kundërshtar të fortë, duhet një përbashkim i të gjithë demokratëve, një rivitalizim i rinisë. E kam edhe këtë avantazh si kreu i Forumit rinor për shtatë vjet. Jam personi që mund të bashkoj demokratët”, thotë Bogdani në A2 CNN.
Sipas tij, në qendër të programit do të ketë bashkëbisedimin me strukturat e PD-së, “anëtarët që gjithashtu janë banorë të Tiranës dhe njohin problemet”, dhe që mund të japin shembuj të mira qeverisjeje.
“Në zonat rurale, problem madhor është përshembull humbja e produktit, ku produkti i pashitur hidhet. Të gjitha miliona eurot që bashkia jep për tenderat e ushqimit kopshteve dhe qendrave sociale mund të kursehen, dhe ushqimi të merret këtyre fermerëve”, thotë ai.
Sipas Bogdanit, “ Tirana ka halle shumë, por së pari duhet qeverisur me transparencë. Buxheti është i lartë, se taksat janë të larta. Po punove me transparencë mund të ulësh taksat dhe të rritësh rrogat. Do të ketë një audit për çdo qindarkë të shpenzuar. Nuk do punojnë sot për sot, por me prespektivë, qe t’i risjellim dinjitetin njerëzve, ku nëna që shet kokoshka mos ta shohë policin bashkiak si xhandar”, shton ai.
Si banor i Tiranës, ai ndjen se kryeqyteti po shkon në drejtimin e gabuar. “Mund të them që Tirana nuk ka ndryshuar, thjesht është deformuar. Ndryshimi është i mirë po u bë më vizion. Veliaj ka bërë mirë vijat e bardha të verdha dhe të kuqe, për të tjerat sot kemi parkime që po paguajmë si në Bruksel, si kryeqytet i rinisë kemi një rini që nuk ka ku si të lahet se nuk kemi ujë”, deklaron ai. (A2 Televizion)