Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan anuloi sesionin e së enjtes, pasi policia e Kapitolit paralajmëroi të mërkurën se mund të ketë plane nga një grup paraushtarak për të hyrë me forcë në ndërtesë më 4 mars, ditën kur zhvillohej ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, në të kaluarën. Kërcënimi vjen dy muaj pas mësymjes së godinës nga një turmë mbështetësish të Donald Trump, ndërsa ligjvënësit po certifikonin fitoren e Joe Biden.
“Mbrëmjen e kaluar, së bashku me FBI-në, lëshuam një deklaratë mbi ekstremistë, të cilët planifikonin një sulm në datën 4 ose 6 mars”, tha Melissa Smislova, nga Departamenti i Sigurisë
Sipas Shërbimit Amerikan të Zbulimit, në fund të muajit shkurt, një grup ekstremist i paidentifikuar, po diskutonte mbi planet për të marrë kontrollin e Kapitolit amerikan e për të zhvendosur prej andej ligjvënësit demokrat. Pjesë e planit ishte edhe mobilizimi i mijëra vetëve për të udhëtuar drejt Uashingtonit.
E enjtja, është dita kur mbështetës teorish konspirative të krahut të djathtë thonë se ish-presidenti Trump, i cili u mund në zgjedhjet e 3 nëntorit nga Joe Biden, do të bëjë betimin për një mandat të dytë në detyrë.
Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj më shumë se 300 personave për pjesëmarrje në sulmin e janarit që la të vrarë pesë vetë, përfshirë një polic të Kapitolit. Ndër të arrestuarit ka anëtarë të organizatave të së djathtës ekstreme “OathKeepers,” “Three Percenters,” dhe “Proud Boys”. “Oath Keepers” dhe “Three Percenters” janë organizata paraushtarake. (A2 Televizion)