NBA po vajton humbjen e Kobe Bryant, njërit prej basketbollistëve më të mirë të historisë së basketbollit. Shumë lojtarë dhe tifozë kanë “përmbytur” rrjetet sociale me mesazhe ngushëllimi për familjarët e legjendës së LA Lakers, Dallas Mavericks kanë vendosur të tërheqin numrin 24 në kujtim të Bryant, ndërsa është nisur një peticion për ndryshimin e logos së NBA.
Nëpërmjet “hashtag”-ut #MakeKobeTheLogo, shumë persona kërkojnë që NBA të ndërrojë logon e vet ikonike nga silueta e Jerry West në siluetën e “Mambës së zezë”.

I pari që e dha këtë mendim ishte ish-basketbollisti Jamal Crawford, i cili shkroi shkurt dhe qartë në rrjetet sociale këtë mesazh: “Kobe duhet të bëhet logoja e re e NBA”.

Platforma change.org ka nisur një fushatë për mbledhje firmash për t’i kërkuar NBA-së që të ndërrojë logon aktuale në homazh të Kobe Bryant dhe deri tani janë mbledhur 170 000 firma.
Mbetet për t’u parë nëse NBA do ta marrë seriozisht këtë kërkesë dhe do të vendosë që të bëjë logo siluetën e yllit të basketbollit të viteve 2000. (A2 Televizion)