Pas mbledhjes së Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike theksoi se propozimi i opozitës së bashkuar për hapje 100% të listave është ndeshur me refuzimin e Partisë Socialiste.
Bylykbashi tha: “Pas një propozimi shumë konkret për hapjen e listave 100%, jemi ndeshur për gjithë këto orë me refuzimin konstant të PS-së. Ne propozuam hapjen e listave, por mazhoranca kërkon tjetër gjë. Nuk na dha arsyen pse nuk ndalet nga ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës që ka për synim vetëm ndryshimin e rregullave të lojës në zgjedhje, vetëm 6 muaj para regjistrimit të subjekteve zgjedhore”.
“Votimi i nesërm në Parlament i ndryshimeve kushtetuese vret marrëveshjen e 14 janarit dhe 5 qershorit, duke minuar një proces kaq të gjatë politik që do të mundësonte zgjedhje me standarde për shqiptarët. Për asnjë moment nuk ka qenë çështje e reformës ndryshimi i koalicioneve. Propozimi ynë qëndron ende mbi tryezë nëse PS-ja reflekton”, shtoi Bylykbashi.
Ndërsa Petrit Vasili tha: “Në 5 orë debat, PS-ja paraqiti 0 argumente në mbështetje të asaj që duan të miratojnë në mënyrë të njëanshme. Damian Gjiknuri u largua nga tavolina, pa sjellë asnjë argument në tavolinë”. (A2 Televizion)