Meteorologia Tanja Porja ka bërë një parashikim të kushteve atmosferike në vend gjatë ditës së sotme dhe të premtes, në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN.
Sipas saj, moti do të jetë relativisht i ngrohtë, por i shoqëruar me vranësira dhe reshje shiu, të cilat do të prekin fillimisht veriun e më pas do të zhvendosen drejt zonave qendrore dhe jugore.
Porja bën të ditur se gjatë paradites priten rrebeshe të shpeshta në zonat veriore, me reshje me intensitet mesatar dhe herë pas here të lartë.
Pas mesditës, sistemi i vranësirave dhe reshjeve do të zhvendoset drejt zonave qendrore, ndërsa gjatë pasdites dhe mbrëmjes reshjet do të përqendrohen kryesisht në jug dhe në qendër të vendit. Në veri ato do të jenë më të pakta.
Sipas meteorologes, kjo situatë atmosferike do të vijojë edhe gjatë natës dhe pjesën më të madhe të ditës së premte, kur reshjet do të mbeten prezente kryesisht në jug dhe në zonat qendrore, ndërsa në veri pritet një mot më i qëndrueshëm.
(A2 Televizion)