Kim dhe Soreca, takim me Bashën dhe aleatët e tij në selinë e PD

Nga A2 CNN
28 Korrik 2020, 10:48 | Politikë
Kim dhe Soreca, takim me Bashën dhe aleatët e tij në selinë

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca zhvilluan një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë e PD. Në takim ishin të pranishëm edhe aleatët e Partisë Demokratike, ndërsa mungoi ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman.

Një ditë më parë, ambasadorët zhvilluan takim me kryeministrin Rama lidhur me zhvillimet e fundit.

Në fund të takimit, opozita doli me një deklaratë të përbashkët ku bëri me dije se informoi ambasadorët Kim dhe Soreca në lidhje me veprimet e njëanshme të kryeministrit Rama për të prishur konsensusin e arritur në marrëveshjen e 5 qershorit.

Sipas opozitës së bashkuar, ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës ndryshon elementët bazë të sistemit zgjedhor, bie ndesh me Marrëveshjen e 14 Janarit, minon Marrëveshjen e 5 Qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Opozita e Bashkuar theksoi se logjika e “faktit të kryer” që përdor Kryeministri Rama është një përpjekje e vazhdueshme për të minuar dialogun politik mes palëve dhe cënon besimin tek partnerët ndërkombëtarë.

Parlamenti votoi javën e kaluar marrëveshjen e 5 qershorit të arritur mes shumicës parlamentare dhe opozitës jashtë parlamentit, ndërsa në seancën e së enjtes, bashkë me opozitën brenda parlamentit, socialistët janë zotuar të votojnë ndryshime kushtetuese, që rikthejnë listat e hapura në zgjedhjet parlamentare dhe të rregullojnë koalicionet. Pika e dytë është kundërshtuar nga PD dhe aleatët e saj pasi, sipas tyre, formula e koalicioneve duhet të qëndrojë siç është. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos