
Shirat dhe lagështia rrezikojnë prishjen e një prej monumenteve më të vjetra të kulturës në Korçë. Kisha e Shën Thanasit ka nevojë urgjente për restaurim, pasi çatia është shembur, ndërsa muralet mund të dëmtohen edhe më shumë.
E ndërtuar në vitin 1724, Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë, një prej më të vjetrave në zonë pësoi dëme serioze në çatinë nga reshjet e së dielës.
Gjergji Koki, drejtor i Monumenteve të Kulturës në Korçë, pohon se dëmtimet janë konstatuar më herët, por për shkak të mungesës së financimit, nuk është zbatuar projekti për restaurim total.
Koki shkon më tej kur thotë se ndërhyrja duhet të realizohet brenda këtij viti, pasi në të kundërt rrezikohen afresket dhe ikonat murale të kësaj kishe, e cila i përket periudhës post-Bizantine.
Kisha e Shën Thanasit është një nga më të vjetrat në Voskopojë dhe me arkitekturë mjaft të veçantë edhe pse në të janë kryer ndërhyrje mirëmbajtëse, tashmë ka ardhur koha e restaurimit të plotë për ta shpëtuar nga shkatërrimi total. (A2 Televizion)