
Një burrë rreth 50 vjeç, i cili ishte me koronavirus, ka shkuar nëpër lokale të ndryshme për të përhapur qëllimisht virusin, përpara se të dërgohej në spital nga policia. Ngjarja ka ndodhur në Japoni.
Burri kishte dalë pozitiv, por ishte dërguar në shtëpi nga doktorët, të cilët i kishin thënë të izolohej përpara se të shtrohej në spital.
Megjithatë, japonezi nuk e ndoqi këtë këshillë dhe i tha një të afërmi se do ta përhapte sa më shumë virusin. Për ta bërë këtë ai vendosi të shkonte nëpër baret me më shumë njerëz në Gamagori.
Në njërin prej tyre ai zbuloi se ishte prekur nga virusi. Në panik, njerëzit lajmëruan policinë që erdhi për ta marrë dhe për ta dërguar në spital.
“Nuk arrij ta kuptoj dot. Nuk di çfarë të them sepse për momentin jam shumë i inatosur”, tha për “Tokyo Reporter” një punonjës i barit. (A2 Televizion)