Një i infektuar me koronavirus në konferencën ku ishte i pranishëm, Trump: Nuk jam fare i shqetësuar

Nga A2 CNN
8 Mars 2020, 13:22 | Bota

Numri i personave të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kaluar 440, me 19 viktima deri tani. Uashingtoni dhe 31 shtete dhe kanë konfirmuar të paktën një rast.

Shqetësim ka shkaktuar diagnostikimi i një personi me koronavirus pasi kishte qenë i pranishëm në një konferencë të Aksionit Politik Konservator javën e kaluar në Merilend, ku ka marrë pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump, zv.presidenti Pence dhe zyrtarë të tjerë.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte shqetësim për ekspozimin ndaj koronavirusit, Trump tha: “Nuk jam fare i shqetësuar”. Gjatë një takimi me presidentin brazilian Jair Bolsonaro, Trump tha gjithashtu se nuk do të anulonte asnjë tubim politik, pavarësisht përhapjes së virusit. “Kemi bërë një punë fantastike në lidhje me virusin”, u shpreh ai.

Të shtunën, Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate se ishte në dijeni të diagnostikimit me koronavirus të një personi që kishte marrë pjesë në konferencë, por shtoi se nuk kishte asnjë të dhënë që ai person ishte takuar me presidentin Trump apo me zëvendësin Pence. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos