
Autoritetet shëndetësore në Greqi bënë me dije se 21 raste të tjera me virusin Covid-19 janë regjistruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 66 numrin e të prekurve në total.
Pjesa më e madhe e të infektuarve janë individë që kishin marrë pjesë në pelegrinazh në Izrael dhe Egjipt. Ky grup udhëtarësh u kthye në Greqi më 27 shkurt.
Një burrë 66 vjeçar që ishte pjesë e këtij udhëtimi ndodhet në gjendje të rëndë në qytetin e Patras, në perëndim të Peloponezit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë pjesa më e madhe e rasteve janë vetizoluar në shtëpitë e tyre, ndërsa 22 të tjera ndodhen në spital në gjendje të stabilizuar.
Greqia e raportoi rastin e parë të një personi të prekur me koronavirus më 26 shkurt. (A2 Televizion)