
Një 36-vjeçar ka rënë në pranga në qytetin e Fierit, i cili akuzohet se kishte përshtatur lokalin për përdorim droge dhe për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Gjatë operacionit "Parandalimi", në lagjen "29 Nëntori" të Fierit u arrestua 36 vjeçari E.D. të cilit iu sekuestruan 650 gr kanabis, të ndara në qese gati për shitje dhe një sasi prej 1 kg farash kanabisi.
Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan edhe 1400 qese farmaceutike që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një automjet.
Materialet procedurale për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, "Nxitja për përdorimin e drogës", “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. (A2 Televizion)