Konferenca e Sigurisë në Mynih, Harris: Forcojmë krahun lindor të NATO nëse Rusia pushton

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2022, 17:09 | Bota
Konferenca e Sigurisë në Mynih, Harris: Forcojmë krahun lindor

Çdo akt i mëtejshëm i agresionit rus kundër Ukrainës do të pasohet nga forcimi i kahut lindor të NATO-s.

Kështu u shpreh zv/presidentja amerikan Kamala Harris në fjalën e saj gjatë konferencës së sigurisë në Mynih. Ajo paralajmëroi Moskën me pasoja të paprecedenta ekonomike.

“Më lejoni të jem e qartë. Mund ta them me siguri të plotë se nëse Rusia pushton më tej Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të ndërmarrin masa të paprecedenta ekonomike. Por nuk do të ndalemi me kaq. Ne do të fuqizojmë me tej aleatët në kahun lindor. Kemi dërguar një sërë trupash shtesë e të tjera janë në gatishmëri. Ato do të mbrojnë çdo centimetër të NATO”, u shpreh Harris.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përsëriti thirrjen që Rusia të tërheqë menjëherë trupat nga kufiri me Ukrainën dhe të punojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Ai tha se nuk po shohin sinjale të tërheqjes së trupave, madje po vihet re e kundërta.

“Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por rreziku i konfliktit është real. Aleatët e NATO vazhdojnë përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje politike. Por pavarësisht pretendimeve të Moskës ne nuk kemi marrë sinjale të tërheqjes, madje grumbullimi i trupave sa vjen e shtohet”, deklaroi Stoltenberg.

Sakaq,  presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë panelit në Mynih tha se Rusia rrezikon që të humbë prosperitet nëse e pushton Ukrainën, duke u zotuar se do të ketë një pako të sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Moskës në rast të ndonjë agresioni.

“Bota po sheh me mosbesim, teksa përballemi me grumbullimin më të madh të trupave në tokën europiane që prej luftës së ftohtë. Ngjarjet e këtyre ditëve mund të riformësojnë të gjithë rendin ndërkombëtar”, tha Von Der Leyen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos