
Pjesëtarë të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, takohen sot me zyrtarë të lartë rusë në Bruksel për të diskutuar mënyrat për parandalimin e një konflikti të ri lidhur me Ukrainën.
Bisedimet, që vijnë pas atyre të zhvilluara mes Moskës dhe Uashingtonit në Gjenevë, edhe në këtë rast nuk pritet të prodhojnë rezultate.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha të mërkurën se nuk sheh arsye për optimizëm. Sipas tij, bisedimet mes Rusisë dhe NATO-s dhe më pas takimi në Vjenë me përfaqësuesit e OSBE-së, do të tregojnë nëse do t’ia vlejë të zhvillohen negociata të mëtejshme.
“Do të bëhet e qartë se në çfarë drejtimi do të vazhdojmë. Ne nuk do të pranojmë zvarritjen e këtij procesi pafundësisht”, ishte komenti i zëdhënësit.
Nën kërcënimin e pozicionimit të më shumë se 100 mijë trupave ruse në kufirin me Ukrainën, SHBA-ja refuzoi të hënën, kërkesën e Moskës për të frenuar zgjerimin e NATO-s në lindje. (A2 Televizion)