
Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës nisi seancën konstituive këtë herë me numrin me të lartë të grave deputete. Për të shënuar ngjarjen, ligjvënëset nga radhët e Vetëvendosjes dhe listës “Guxo” u veshën me të bardha.
Seanca u drejtua nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Adelina Grainca nga Partia Demokratike e Kosovës. Në nisje të seancës, Dehari u bëri thirrje të gjithëve që t'u përmbahen rregullave kundër pandemisë COVID-19.
Kuvendi miratoi fillimisht raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Pas një pauze prej 20 minutash, deputetët u rikthyen në sallë, për të bërë betimin.
Më pas me propozim të fitueses së zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi votoi me 69 vota pro, Glauk Konjufcën si kryeparlamentarin e ri. Xhavit Haliti ishte i vetmi nga radhët e PDK që votoi për Konjufcën.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Sipas Kushtetutës, presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit për votim.
Lëvizja Vetëvendosje synon që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, të procedohet me formimin e qeverisë, për të cilën nevojiten 61 vota. (A2 Televizion)