
Edhe pse nuk kishte dyshime se do të ishte sërish ai kandidati i republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, presidenti Donald Trump mori dhe zyrtarisht nominimin nga organi më i lartë i partisë së tij që është konventa dhe që po mbahet në Charlote të Karolinës së Veriut.
Votimi i kandidatit presidencial ishte akti i parë i Konventës së Republikanëve dhe në të votuan 336 delegatë dhe në emër të atyre që e kishin të pamundur të merrnin pjesë për shkak të masave anti-covid.
Në momentin e mbërritjes në vendin ku mbahej konventa, presidenti Trump u shoqërua me ovacione të shumta ku i urohej dhe një mandat i dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme për vendin tonë. Duhet të bëjmë kujdes. Në 2016 demokratët spiunuan fushatën tonë, këtë vit po e provojnë me votën përmes postës”, u shpreh presidenti amerikan. (A2 Televizion)