Koronavirusi, 7 të vdekur në Itali, 229 raste të konfirmuara

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2020, 20:32 | Bota
Koronavirusi, 7 të vdekur në Itali, 229 raste të konfirmuara

Shkon në 7 numri i viktimave nga koronavirusi në Itali. Rasti i fundit është ai i një gruaje 62-vjeçare nga Ada, një qytezë në Lombardi. Sikurse pjesa dërrmuese e rasteve që kanë përfunduar me vdekje, edhe gruaja kishte patologji të tjera të rënda.

Shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borreli, tha se deri tani janë 229 raste të konfirmuara të personave të infektuar, ku përveç viktimave, një person është larguar nga spitali pasi është shëruar. Sipas të dhënave të fundit që raportohen nga mediat italiane në Lombardi janë 172 persona të infektuar, në Veneto 33, në Emilia Romanja 18, në Lacio 3 dhe në Piemonte 3.

Italia renditet e treta mes vatrave kryesore të virusit në botë, pas Kinës dhe Koresë së Jugut. Masat e ndërmarra nga autoritetet lokale për të vënë nën kontroll epideminë përfshijnë 50 mijë persona. Komunat në karantinë janë 11, ndërsa në Lombardi janë mbyllur shkollat, janë ndaluar tubime e aktivitete që parashikojnë grumbullime njerëzish, ndërsa zonat komerciale dhe argëtuese si klubet apo diskotekat do të ulin qepenat pas orës 18.

Qyteti kryesor i rajonit, Milano, duket i boshatisur, me trenat dhe autobusët që qëndrojnë në stacione. Gjithashtu në Veneto, Piemonte, Liguria dhe Emilia Romanja po merren masa të ngjashme si në  Lombardi.

Postblloqe rrugore janë vendosur në hyrje të 10 qytezave të Lodinjanos, një prej vatrave kryesore të koronavirusit. Në rrugët që çojnë për në zonën e kuqe kanë nisur procedurat e filtrimit. Forcat e rendit, paralajmërojnë automobilistët, se nëse vendosin të hyjnë, nuk do të kenë më mundësinë të dalin. Qytetarët janë të përfshirë nga paniku dhe kanë mësyrë supermarketet, të cilat thuajse janë zbrazur. Në rrjetet sociale publikohen vazhdimisht imazhe nga ata që duan të blejnë ushqime, por që i gjejnë të boshatisura raftet, ashtu si në romanet apo filmat apokaliptik. Në Mauritius, italianëve nga zonat e rrezikuara po u mohohet zbarkimi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos