“Ruani dokumentet, do të hetojmë”, demokratët akuzojnë “kartelin Trump”: Nuk do vidhni më amerikanët

Nga Xhevahir Qardaku
5 Nëntor 2026, 10:04 | Bota

“Lawyer up!”, pra “gjeni një avokat”. Këto janë fjalët e para të demokratëve drejtuar administratës së presidentit, Donald Trump.

Përmes një postimi në X, ligjvënësi Robert Garcia, udhëheqësi demokrat i Komitetit Mbikëqyrës, zyrtarizoi lëvizjen ndaj republikanëve dhe qeverisë: “hetime gjithëpërfshirëse dhe të gjithanshme për të zbuluar dhe nxjerrë në dritë çdo cep të errët të këtij ekzekutivi”. Me fjalët e vetë Garcias: “Askush me mbiemrin Trump nuk do të përjashtohet nga hetimet”.

“Korrupsioni masiv që vendi ka përjetuar nga i ashtuquajturi ‘Karteli Trump’ shpjegon pse po bëhet kaq pak për të ndihmuar amerikanët e zakonshëm. Kjo do të ndryshojë menjëherë. Askush që po vjedh nga populli amerikan, që po e mashtron apo po e dëmton atë, nuk do të mund të fshihet më. Ne do t’i mbajmë përgjegjës ata që kanë kryer këto abuzime”, lexohet në letrën e Demokratëve për Qeverinë Trump.

Hakeem Jeffries, Lider i Demokratëve në Kongres, u shpreh: “Luajtën me zjarrin, tani do ta shohin çfarë i pret”.

Por, hetimet do të shkojnë dhe më tej nga Shtëpia e Bardhë deri tek Elon Musk. “Ruani dokumentet”, ishin fjalët e tij, të cilat u bënë virale në mediat sociale. Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë filloi t'u dërgonte një sërë  letrash kompanive private dhe administratës, duke kërkuar posaçërisht që ata “të ruanin dokumentet për hetimet e planifikuara për seancën e ardhshme të Kongresit”, në të cilën demokratët kanë fituar një shumicë të konsiderueshme.

Konkretisht do të hetohen lidhjet e Trump me Rusinë, përfshirë marrëveshjen për naftën, ato të Elon Musk me Putinin dhe ngadalësimin e projektit Starshield në Ukrainë. Gjithashtu në janar, demokratët planifikojnë të shqyrtojnë me kujdes veprimet e administratës Trump: nga korrupsioni I dyshuar, te trajtimi i agjencisë së zbatimit të ligjit për emigracionin dhe Dosjet Epstein. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos