
Presidenti Meta ka publikuar një video mesazh të shkurtër ditën e sotme, me anë të të cilit bën thirrje për marrjen e masave edhe nga ana ekonomike.
“Vendi sot po përballet me një ngadalësim kritik të aktivitetit ekonomik, si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit.
Kjo do të shkaktojë një frenim të rritjes ekonomike dhe humbje serioze në mënyrë të veçantë në sektorin e fasonëve, turizmit, shërbimeve dhe biznesit të vogël.
Natyrisht që prioriteti madhor është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe mbështetja me fondet e domosdoshme për sektorin e shëndetësisë, si aktori kryesor në përballjen me pandeminë.
Megjithatë, pasojat në ekonomi do të jenë objektivisht të pashmangshme, siç paralajmëron FMN-ja dhe aktorët kryesorë të ekonomisë tonë.
Duhet të bëhet gjithçka për të përballuar skenarët e ndryshëm të ecurisë së kësaj pandemie nga ana mjekësore.
Është jetike të punohet çdo ditë edhe për përballimin e skenarëve të ndryshëm të pasojave serioze në ekonominë kombëtare dhe jetën e çdo familjeje shqiptare, në veçanti të atyre më në nevojë”, u shpreh Meta. (A2 Televizion)