
Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi shisnin lëndë narkotike në doza, kryesisht në afërsi të shkollave. Operacioni policor i koduar “Quick Strike 2” u finalizua nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në Lezhë dhe Kurbin.
Në pranga ranë V. R., 23 vjeç, dhe A. Gj., 36 vjeç, të dy banues në Laç. Ata u kapën në flagrancë pranë një shkolle në qytet.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 126 doza të dyshuara narkotike, nga të cilat 113 me kanabis dhe 13 me kokainë. Gjithashtu, u sekuestruan municion luftarak dhe dy telefona celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të arrestuarit ushtronin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në qytetin e Laçit, kryesisht pranë perimetrit të sigurisë së shkollave.
Operacioni u zhvillua në kuadër të planit “Shkolla të Pastra”, që synon parandalimin dhe goditjen e shitjes së drogës në afërsi të institucioneve arsimore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)