
Në një lidhje me “Skype” në Dita Jonë, studentja shqiptare e infermierisë në Itali, Melisa Agollari, e cila punon në spitalin e Ankonës, ka komentuar situatën aktuale nga koronavirusi në vendin fqinj.
“Dje ka qenë një ditë e trishtë me numrin më të lartë të viktimave. Në spitalin ku unë bëj praktikën, ka shtretër, por në repartin ku jam unë, ka alarm. Reparti është ndarë në dy zona, një me pacientë negativë dhe një me pacientë pozitivë. Situata është kritike, kjo kuptohet edhe nga fakti se punojmë edhe ne infermierët e vitit të tretë”, u shpreh Agollari.
Më tej, ajo thekson se ditët e fundit iu është ndaluar dalja edhe këmbësorëve. “Jemi në shtëpi, rrugët janë të boshatisura, nuk ka njerëz që dalin. Të vetmet makina që shohim janë ato të mbrojtjes civile që u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi. Pasdite jam në spital. Për të shkuar deri të spitali, ne duhet të paraqesim një certifikatë ku të sqarojmë motivet se pse po lëvizim. Ndalohen edhe këmbësorët, edhe atyre iu kërkohet motivi i daljes nga shtëpia. Mund të dilet shëtitje, por jo të abuzohet, ashtu siç edhe po ndodh”. (A2 Televizion)