
Pandemia e koronavirusit ka vrarë mbi 1 milionë e 300 mijë persona në të gjithë botën nga dhjetori, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Numri i të infektuarve në total rritet ndjeshëm dita-ditës dhe aktualisht po shkon mbi 54 milionë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin vendi më i prekur.
Për të 12-n ditë radhazi, autoritetet shëndetësore raportuan mbi 100 mijë raste ditore. Bilanci total i pandemisë në SHBA është rreth 11 milionë të infektuar dhe mbi 245 mijë jetë të humbura. Ekspertët amerikanë japin alarmin se kjo situatë po shtyn spitalet drejt kolapsit, pasi po ezaurohen kapacitetet e tyre. Rreth 69 mijë pacientë janë të shtruar në spitale vetëm nga Covid-19, një shifër rekord për shëndetësinë amerikane. Zgjidhjen, ekspertët e shohin tek një mbyllje e dytë e vendit. Masë e cila po nis të aplikohet në disa shtete amerikane.
Situatë tepër kritike edhe përtej kufirit të SHBA. Meksika tejkaloi pragun e trishtë të 1 milion rasteve me Covid-19, me 5800 rastet e shënuara në ditën e fundit. 635 pacientë humbën jetën në 24 orë, duke e çuar bilancin total të viktimave në mbi 98 mijë. Kryeqyteti Meksiko ka mbyllur baret dhe mensat për të paktën dy javë, në përpjekje për të frenuar valën e dytë të pandemisë, ndërsa restorantet, kinematë dhe palestrat do të operojnë me orar të reduktuar.
Edhe Brazili po përjeton një përkeqësim të gjendjes epidemiologjike. Sërish u raportuan mbi 900 humbje jetësh në 24 orë, me një bilanc total prej 165 mijë viktimash. Të infektuarit në total janë 5,8 milionë.
Nga ana tjetër e globit, India i afrohet gjithnjë e më shumë 9 milionë rasteve me Covid-19, me një rritje prej mbi 41 mijë infektimesh ditore. Viktimat nga pandemia në këtë shtet janë rreth 130 mijë. (A2 Televizion)