
Arben Gjata, shefi i Kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare dhe njëkohësisht rektori i Universitetit të Mjekësisë, njoftoi në një lidhje direkte me studion e A2 se nga nesër do të nisë trajnimi i stafit të spitaleve dhe atyre që janë ofruar vullnetarisht.
“Nga nesër nis trajnimi i stafit të spitaleve. Do të trajnohen edhe të gjithë ata që mendojmë se ia vlejnë nga grupi i vullnetarëve. Ata që i mendojmë të përshtatshëm, do të trajnohen dhe do të thërriten sipas nevojave të spitaleve. Ideja është që të mos jenë në linjën e parë të përballjes me koronavirusin, por duke qenë se mjekët mund të spostohen, vullnetarët do të plotësojnë nevojat në shërbime të tjera”, shpjegoi Gjata.
Kur u pyet në lidhje me vendet që ka në dispozicion sistemi ynë shëndetësor për të sëmurët me koronavirus, Gjata tha: “Nëse mbushen 3 ambientet e para, që janë Infektivi, ish-spitali numër 2 dhe “Shefqet Ndroqi”, edhe një nga godinat e spitalit Amerikan do të jetë në funksion të të prekurve nga Covid-19, rreth 400 shtretër. Shpresojmë që të mos kemi nevojë për të”. (A2 Televizion)