Koronavirusi në Shqipëri, kryeqyteti në ditën e katërt të vetëizolimit

Nga A2 CNN
16 Mars 2020, 17:16 | Aktualitet
Koronavirusi në Shqipëri, kryeqyteti në ditën e katërt

Moti i mirë i së hënës ka joshur qytetarët të mos i binden kërkesës së autoriteteve qendrore për të qëndruar në shtëpi, me qëllim shmangien e rrezikut të përhapjes së koronavirusit.

Duket se për shumë është e vështirë të pranojnë se kryeqyteti është në karantinë. Në rrugë kishte më shumë prezencë të automjeteve, edhe më shumë të këmbësorëve. Nuk heqin dorë nga rutina, nga shëtitjet, nga rrezet e diellit, bisedat me miqtë apo një sy gjumë.

Lëvizja e automjeteve është e lejuar vetëm nga ora 6-8 të mëngjesit dhe 16-17 të pasdites. Për kë duhet të shkojë në punë jashtë këtyre orareve, e vetmja mundësi është të ecë në këmbë ose me biçikletë.

Në e-mail [email protected] janë mbi 50 mijë kërkesa që kërkojnë autorizim për të levizur me automjete përtej orareve të lejuara. Në mungesë të një përgjigje, kanë qenë të shumtë qytetarët që janë paraqitur personalisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për të marrë më shumë informacion.

Por, teksa kamera e A2 po ndiqte këtë situatë, qytetarët janë informuar nga punonjësit e policisë, se kush nuk kishte maskë nuk do të merrte shërbim.

Në Tiranën jo të zhurmshme, sërish janë dyqanet ushqimore, të fruta-perimeve dhe farmacisë që nuk kanë mbyllur dyert e tyre. Por, kush e ka marrë me terezi për të blerë, tanimë duhet t’i mbyllë pazaret deri në orën 18:00, më pas qarkullimi do të ndalet edhe për këmbësorët.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos