
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për vete, "për imagjinatën e mendimet e tyre".
Deklarata e tij vjen një ditë pasi presidenti serb tha se Beogradi ka informacione se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit popullsisë serbe që jeton atje”. Por, gjatë një vizite në Doganën e Kosovës, Kurti tha se vendi i tij është për paqe dhe stabilitet.
“Kur ata flasin, nuk janë duke folur për neve, por për vete. Ne jemi për paqe, siguri, stabilitet afatgjatë dhe duhet që me shtetin tonë, jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit dhe progresin”.
Ai sërish akuzoi sërish Serbinë se ka nxitur rritjen e tensioneve në veri më 31korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë, duke shprehur pakënaqësinë e vendimeve të Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, bllokuan rrugët dhe sulmuan policinë.
“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore dhe do të ishte dita e parë e punës së muajit të tetë të vitit. Mirëpo, më 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur, planifikuar, përgatitur e financuar strukturat ilegale që u bënë banda kriminale nëpër rrugën në veri të Kosovës”.
Sakaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili bashkë me Kurtin vizitoi doganën e Kosovës, tha se aksionet anti-kontrabandë në veri, po mirëpriten edhe nga vetë serbët që jetojnë atje. (A2 Televizion)