Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se një shtetase ruse është arrestuar për spiunazh.
“Sot, në pikë-kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, shkruan Sveçla në Facebook.



“Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë përshkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj”, shtoi Sveçla.
Sipas ministrit, “tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë, përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”. (A2 Televizion)