Kosova shton sanksionet kundër Rusisë, Serbia heziton: Do të rezistojmë sa të mundemi, por po dëmtohemi

Nga A2 CNN
16 Maj 2022, 16:45 | Kosova
Kosova shton sanksionet kundër Rusisë, Serbia heziton: Do të

Kosova shton sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, në përputhje me masat ndëshkimore të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Europian lidhur me luftën e paprovokuar në Ukrainë.  

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, tha gjatë mbledhjes së qeverisë se Kosova është rreshtuar krah politikave të SHBA-së dhe BE-së për sanksionet. Në paketën e re të masave përfshihen ngrirje të aseteve të individëve të sanksionuar në terretorin e Kosovës, ndalim të operimit në tregun financiar kosovar, ndalim-udhëtimi, si dhe bllokim të qasjes në fonde për të sanksionuarit.

Masat kufizuese prekin edhe grupin Wagner, entitet ushtarak me bazë në Rusi, mercenarët e të cilit dyshohen për abuzime në Mali, Libi dhe Siri.

Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë përkrahur sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se vendi i tij do të luftojë për aq kohë sa mundet që të ruajë politikën për të mos i vendosur sanksione Rusisë, por theksoi se dëmi që po përjeton si rezultat i këtij qëndrimi është i madh.

Ai përsëriti se Serbia e di “se sa të padrejta janë sanksionet”, por shtoi se “populli duhet ta kuptojë se shteti po humb shumë për shkak të mosvendosjes së masave ndëshkimore ndaj Rusisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos