Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se palët ishin të gatshme për të zbatuar marrëveshjen e arritur për normalizim të raporteve, në takimin e 26 tetorit në Bruksel, por sipas tij, nuk ranë dakord për modalitetet.
Përmes një postimi në Facebook të dielën mbrëma, ai tha se draft-statuti i Asociacionit i propozuar rishtazi nuk i kalon “kufijtë e kuq të palëve” dhe është në përputhje me standardet më ta mira evropiane për mbrojtjen e pakicave.
“E mirëpres që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. Ata kishin komente dhe pyetje për propozimin evropian për statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin ua kemi paraqitur gjatë misionit tonë të përbashkët të shtunën e kaluar”, shkruan Lajçak.
I dërguari i BE-së është shprehur se edhe Serbia ka shumë detyrime të pazbatuara, duke shtuar se “së shpejti do t’i ftojë kryenegociatorët në Bruksel për t’i diskutuar hapat e ardhshëm”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha për një televizion vendas se të enjten ua kishte bërë të qartë përfaqësuesve ndërkombëtarë se nuk do ta zbatojë asnjë pikë të marrëveshjes që ka të bëjë me njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në OKB. (A2 Televizion)