
Individët po shndërrohen në klientët e preferuar të bankave. Kjo për shkak edhe të korrektesës më të madhe në kthimin e huave. Banka e Shqipërisë konstaton se edhe politikat lehtësuese që sistemi bankar po zbaton aktualisht kanë në fokus qytetarët.
Sipas raportit të fundit të aktivitetit kreditues, gjatë vitit 2018, normat e interesit të kredisë së re në lekë kanë mbetur në nivele të ngjashme me ato të vitit 2017 për bizneset dhe janë ulur lehtësisht për individët. Ulja e fundit e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në muajin qershor duket të jetë transmetuar vetëm në segmentin e kredisë për blerje banese.
Ndërkohë që edhe kushtet e tjera të marrjes së huasë janë shtrënguar për bizneset dhe janë lehtësuar për individët, duke konfirmuar politikat shtrënguese të bankave në kreditimin e bizneseve dhe standarde të lehtësuara të tyre për kredinë e individëve. (A2 Televizion)