
Rusia reagon pas paralajmërimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për pasoja shkatërruese nëse nuk ulen tensionet për Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se këto deklarata rrezikojnë ta destabilizojnë dhe më tej situatën.
“Ata mund të krijojnë shpresa false në kokat e nxehta të disa prej lidershipit të Ukrainës, të cilët në mënyrë të fshehtë mund të nisin sërish një luftë civile brenda vendit të tyre”, u shpreh ai. I pyetur për kërcënimet e Biden, Peskov tha se Rusia ka marrë paralajmërime të tilla për të paktën një muaj. Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se bisedime të mëtejshme telefonike mes presidentëve, Vladimir Putin dhe Joe Biden, do të jenë të mundura sapo Shtetet e Bashkuara dhe NATO të dërgojnë një përgjigje me shkrim për listën e Rusisë me kërkesa për garanci për sigurinë.
Ndërkohë, Moska pret me padurim zgjedhjet e perëndimit lidhur me kërkesën për të mos lejuar integrimin e Ukrainës në NATO dhe që blloku ushtarak të tërheqë forcat nga Europa Lindore. Uashingtoni dhe NATO i kanë konsideruar të papranueshme këto kërkesa. (A2 Televizion)