
Plani i kryeministrit britanik Boris Johnson për rihapjen graduale të ekonomisë nxiti një valë të menjëhershme kritikash, më shumë që e përshkruajtën atë si përçarës, konfuz dhe të paqartë.
Rivalët politikë e akuzuan Johnsonin se po vinte në rrezik klasën punëtore duke e inkurajuar të rikthehej në punë pa ndërmarrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Chris Bryant, deputet laburist, tha: “Është e vështirë të mos arrihet në përfundimin se klasa punëtore duhet të rikthehet në punë, ndërsa ajo e mesme mund të punojë edhe nga shtëpia. Por, “normaliteti i ri” nuk mund të rikthejë ndasitë e vjetra”.
Sekretari për Punët e Jashtme, Dominic Raab, tha të hënën se qeveria nuk kërkoi rikthimin në punë para së mërkurës, por mesazhi i Johnson u kuptua ndryshe nga shumë qytetarë që mbushën trenat e metrotë që në orët e para të mëngjesit. Edhe trafiku ishte më i rënduar gjatë së hënës.
Në rrjetet sociale u postuan imazhe të autobusëve të tejmbushur me njerëz, edhe pse kryeministri u kërkoi qytetarëve të shmangnin sa më shumë përdorimin e mjeteve të transportit publik. (A2 Televizion)