Kriza e buxhetit, më rënie të nivelit të të ardhurave ka çuar në shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokutaj, vetëm 7 muaj pas marrjes së detyrës. Ai është zëvendësuar nga Gjon Bardhi, që deri më tani ka mbajtur pozicionin e zv.drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Treguesit fiskalë të 9-mujorit të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë flasin për një mosrealizim prej 4 për qind të planit të të ardhurave nga Doganat, ekuivalent kjo me një shumë prej 5 miliardë lekësh, teksa nga Tatimet të ardhurat e munguara në raport me planin në 9 mujor ishin 2.2 për qind apo 2.5 miliardë lekë. Por situata e vështirë e financave publike në nivel makro po reflektohet në ekonominë reale. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për tkurrje të kredisë nga biznesi për investime, ndërsa vetë sistemi bankar parashikon se edhe në të ardhmen huamarrja, do të vijë duke u tkurrur, si nga sipërmarja, ashtu edhe nga individët. I ftuar në A2 Business, eksperti i ekonomisë Majlind Lazimi (A2 Televizion)
Kriza e Buxhetit prek ekonominë reale
