
“Njerëzit në nevojë janë ata të cilët duhet të kemi parasysh në çdo krizë, por nuk duhet të harrojmë se ne merremi me vagonin, por lokomotiva ka nevojë të ushqehet për të tërhequr vagonët. Nëse ne themi se do të mbështesim shtresat e pamundura dhe barra do të bjerë e gjitha te lokomotiva, ajo do të tejnxehet dhe mundet edhe të ndalojë. A e duam ne këtë gjënë? Padyshim që jo. Një efekt tjetër, i cili do të ishte efekt domino, i pashmangshëm. Nuk merren me ne. Ne përballim krizën, por do ta transmetojmë krizën më pas”.
Kështu u shpreh në emisionin “Debat” me Alba Alishanin në A2 CNN, Sekretari i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra. Ai theksoi se shtresat në nevojë nuk do t’i shpëtojnë rritjes së çmimeve, pasi edhe nëse ajo nuk do të pasqyrohet te fatura e dritave, atëherë do ta marrin atë në faturat e tyre të përditshme.
“Qeveria thotë se nuk do të vendosë një shtesë në faturën e dritave për shtresat në nevojë, kjo kategori do të shkojë sërish në dyqan dhe do të gjejnë çmime të kripura për shkak se lokomotiva e ka marrë shtesën e krizës. Kjo është një propagandë, por nuk është kurrë një masë ekonomike e mirëmenduar. Nuk do të vijë në faturë në fund të muajit, por në të gjitha faturat e përditshme ti do ta kesh të karikuar. Nuk ka shtet në botë që në situatë krize të mos ulet të diskutojë me biznesin”, u shpreh Shkodra. (A2 Televizion)