
Ambasada e Rusisë në Tiranë njofton se kryeministri i Shqipërisë dhe njëkohësisht kreu i OSBE, Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në Bjellorusi, ku opozita ka dal në shesh dhe kundërshton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Pasi e njohu diplomatin rus me propozimin e kryesisë shqiptare të OSBE për të kontribuar në dialogun mes qeverisë dhe opozitës në Bjellorusi, Edi Ramës iu kërkua nga ministri Lavrov që të mos ndërhyjë në këtë çështje dhe të lejojë popullin bjellorus të zgjidhë vetë punët e tij.
Njoftimi i ambasadës ruse
Më 20 gusht, me iniciativën e palës shqiptare, u zhvillua një bisedë telefonike midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama.
Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës. Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e "ndërmjetësimit evropian" në Ukrainë në shkurt 2014.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas. (A2 Televizion)