Kriza në Ukrainë, G7 gati për dialog me Rusinë

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2022, 10:15 | Bota
Kriza në Ukrainë, G7 gati për dialog me Rusinë

Grupi i Shtatë (G7) thotë se është i përgatitur për një dialog serioz me Rusinë lidhur me krizën e Ukrainës, pasi vendet perëndimore dhe NATO akuzuan Moskën se po përpiqet të krijojë një pretekst për pushtim, me përshkallëzimin e dhunës në konfliktin e Ukrainës.

Të premten në mëngjes, separatistët e mbështetur nga Rusia që kontrollojnë pjesë të territorit në rajon, akuzuan sërish forcat e Kievit për bombardimet e një fshati të kontrolluar nga rebelët. Akuza pasoi një sërë incidentesh.

Ushtria ukrainase deklaroi se ka regjistruar 60 shkelje të armëpushimit nga separatistët pro-rusë, gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa një ushtar ka mbetur i plagosur.

Në një raport, ushtria tha se separatistët hapën zjarr në më shumë se 10 vendbanime, duke përdorur artileri të rëndë, mortaja dhe një tank.

Përleshjet në zonë janë të zakonshme, por tensionet pranë kufirit janë intensifikuar me vendosjen e dhjetëra mijëra trupave ruse aty pranë.

Tensionet mbi krizën Ukrainë-Rusi janë prej muajsh, ndërsa përpjekjet diplomatike për të zgjidhur situatën tregojnë pak shenja përparimi.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, do të flasë me telefon me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, citon agjencia e lajmeve Interfax, e cila i referohet deklaratës së ministrisë ruse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos