Të ardhurat në buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm kalojnë shumën e 907 miliardë lekëve. Shtesës nga tatimet, doganat etj., pritet t’i shtohen dhe të ardhurat nga bastet sportive. Qeveria pritet të arkëtojë rreth 2 miliardë lekë nga licensimi i kompanive.
Megjithatë, në relacionin që shoqëron projektligjin shtohet se shuma mund të mos realizohet nëse nuk nis veprimtaria. Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të idenitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Gjithashtu, do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit, shkruan A2.
Ligji për këtë aktivitet është miratuar prej 3 vitesh, por pa gjetur zbatim, ndërsa në këtë periudhë thuajse në çdo ditë policia njofton ndalime për baste sportive të paligjshme. Ndërsa në dokumentin e paraqitur në Kuvend për të ardhurat dhe shpenzime qeveria shton se në 2026 nuk u arrit të mblidhej shuma prej 2 miliardë lekësh, pasi nuk u hapën licensat.
Arkëtimeve në buxhet do t’i shtohet dhe Eurobondi që është i teti në rradhë. Kjo është dalja e 8-të e vendit në tregjet financiare ndërkombëtare në 17 vite. Sipas projektbuxhetit, vlera e eurobondit parashikohet në 62.6 miliardë lekë, i cili me kursin aktual të këmbimit shkon përafërsisht në 650 milionë euro, duke e bërë kështu eurobondin më të madh ndonjëherë për Shqipërinë.
Huamarrja e huaj parashikohet të realizohet nëpërmjet disbursimit të shumave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve. Në total, detyrimi i huaj gjatë vitit 2027 vlerësohet të jetë rreth 118.2 miliardë lekë. (A2 Televizion)