Shqipëria ka hyrë në recesion të thellë jo më shumë prej pandemisë së koronavirusit, se sa prej politikave të paqëndrueshme ekonomike.
Këtë qëndrim mbajnë ekspertët e ekonomisë dhe të opozitës, sipas të cilëve shenjat e krizës ishin sinjalizuar, për t’u materializuar më pas me dy goditjet e mëdha: tërmetin dhe Covid-19.
Sipas tyre, efektet e koronavirusit kanë përkeqësuar të gjithë treguesit ekonomikë dhe rrezikojnë të çojnë borxhin publik në nivelin e 100% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të njëjtin parashikim për borxhin bën edhe Konfindustria, teksa ai i pranuar nga qeveria nuk e kapërcen 80%.
“Në horizontin e një krize që pritej që do vinte, iu bashkëngjitën efektet e tërmetit dhe i vuri vulën pandemia. Kjo do të sjellë rritje të kostos së borxhit, investitorët janë skeptikë për vende si Shqipëria, borxhi do shkoj përtej 100% dhe ky nuk është lajm i mirë”, thotë për A2 Pano Soko, ekspert për ekonominë.

Sipas Dorian Telitit, drejtor i Kabinetit të PD, “po përballemi me huamarrje shtesë që do të paguajmë të gjithë bashkë, një shifër rreth 100% nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Kriza aktuale do të zgjasë pa iniciativave të qeverisë për të ndihmuar ekonominë dhe sipërmarrjet”.
Ekspertët vlerësojnë se rimëkëmbja e ekonomisë do të kërkojë kohë dhe apelojnë qeverinë për ndihmë direkte për bizneset e qytetarët e prekur nga kriza për të rindezur sa më parë motorët e ekonomisë.
Institucionet financiare ndërkombëtare kanë parashikuar një tkurrje të fortë të ekonomisë gjatë këtij viti, ku më pesimist qëndron vlerësimi i bërë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në -9%. (A2 Televizion)