Festivali i XX Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës “Durrës Chamber Fest”, vijoi mbrëmjen e radhës me një nga formatet më të vlerësuara të muzikës klasike, Pianotrio.
Publiku durrsak pati mundësinë të shijojë një koncert të nivelit të lartë artistik, me pjesëmarrjen e Maestro Bruno Canino në piano, violinistes Nevila Kalaja dhe violonçelistit Bledar Zajmi, shkruan A2.
Programi muzikor solli një ndërthurje të elegancës dhe pasionit të interpretimit, me mjeshtërinë e emrave të njohur të skenës botërore. E intervistuar pas koncertit, violinistja dhe njëkohësisht drejtorja artistike e festivalit, Nevila Kalaja, u shpreh e emocionuar për pjesëmarrjen në këtë edicion të veçantë dhe theksoi rëndësinë që ka kjo ngjarje për artistët dhe publikun shqiptar.
Aktivitetet e festivalit do të vijojnë deri më 21 korrik, duke sjellë në skenat e qytetit bregdetar artistë nga Europa, Amerika dhe rajoni. Një festë e muzikës së dhomës, që e kthen Durrësin në një qendër të artit dhe kulturës ndërkombëtare. (A2 Televizion)