Ekspertët e ekonomisë japin alarmin për goditjen që do të marrë ekonomia pas rënies së fortë të eksporteve dhe hapjes së kufijve.
Sipas tyre, një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë që është industria fason nuk është ndihmuar për të ruajtur vendet e punës.
Rrjedhimisht punonjësit mund të shohin si mundësi largimin në vendet e tjera ku janë të zhvilluara këto industri si Maqedonia, e cila ka financuar direkt bizneset përmes tri paketave financiare.

“Alternativa e parë sapo të hapen kufijtë do të jetë migrimi, rrezikojmë të humbasim pjesë të mirë të ekonomisë sonë industriale, dhe të lemë në shtëpi dhjetëra mijëra punëtorë. Në vendet e tjera ndërhyrjet në ekonomi janë të paktën të trefishta sesa Shqipëria, dhe nuk flitet për vendet perëndimore, por për vende si Maqedonia e Veriut”, thotë eksperti për A2.
Por, ku duhet të konsistojë ndihma për rimëkëmbjen e bizneseve?
Ekspertët vlerësojnë se efektet e pandemisë në ekonomi pritet të jenë afatgjata. Sipas tyre bujqësia dhe turizmi duhet të shndërrohen në lokomotiva për rimëkëmbjen e ekonomisë. Por, në të gjitha rastet kjo nuk bëhet pa pasur financime. (A2 Televizion)