
Viktor Orban pa dyshim është një nga liderët më të diskutuar brenda Bashkimit Evropian.
Lideri i partisë nacionaliste Fidesz ka një mbështetje solide në Hungari, por qasja e tij ndaj BE-së, temave të nxehta si ajo e emigracionit dhe lidhja e tij e fortë me Vladimir Putin e kanë shndërruar në një shënjestër politike të atyre që e cilësojnë atë si autokrat dhe Hungarinë tashmë si një regjim i maskuar.
Orban nuk bën asgjë për t’u shkëputur nga ky imazh, përkundrazi. Ka bërë xhiron e botës lajmi që dje parlamenti hungarez, me 138 pro dhe 53 kundër, ka votuar një seri normash të jashtëzakonshme, zyrtarisht për t’ u përballur me emergjencën e koronavirusit, që i japin Orban fuqi të plota në një situatë emergjence me afat të pacaktuar.
Zgjedhjet parlamentare janë pezulluar, dhe janë vënë norma të forta për cilindo që sipas qeverisë dezinformon mbi ekzekutivin dhe pandeminë.
Masa shumë të forta, për një vend që ka një numër ende të limituar të infektuarish, 447, ndërkohë që opozita mendon se është thjesht një pretekst për kryeministrin për të shkatërruar përfundimisht demokracinë në vendin e BE-së.
“Është fillimi i diktaturës”, deklarojnë socialistët në opozitë, që pretendojnë që gjendja e jashtëzakonshme të ketë të paktën një afat të përcaktuar.
Orban dominon skenën politike hungareze nga viti 2010. Në shtator Parlamenti Evropian kishte kërcënuar Budapestin me sanksione, për shkak të shkeljeve, sipas saj, të të drejtave të njeriut në vend.
Ballafaqimi ka vijuar edhe këto ditë, ku kritikave të BE-së Orbani është përgjigjur duke thënë se “në qoftë se Evropa nuk mund të na ndihmoi, të paktën mos të pengoi sforcot tona për t’u mbrojtur”. (A2 Televizion)