
Lumir Abdixhiku u zgjodh që në raundin e parë mes tre kandidaturave, me 192 vota pro. Para Kuvendit, kryetari 38-vjeçar që pasoi Isa Mustafën u zotua për rikthim të madh të LDK-së, ndërsa gjatë javës që vjen takohet me fituesit e zgjedhjeve, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.
“LDK nuk arriti të mbajë ose të rrisë mjaftueshëm votuesit e saj. Arsyen e vetme e gjejmë te vetvetja dhe nga vetvetja ne duhet të rinisim rikthimin tonë të madh. Numrat janë të përkohshëm, përpjekja mbetet e përhershme, për këtë arsye rikthimi jonë është çështje kohe. Sot, megjithatë, duhet të veprojmë të bashkohemi rreth njëri-tjetrit dhe të hapemi për të tjerët”, ishin fjalët e tij në fjalimin e parë si lider.
Abdixhiku nënvizoi se: "LDK-së duhet t’i jepet një lidership që përballon sfidat e kohës. Vendi është në rrëshqitje në politikat populiste dhe të majta, si dhe ideve shpërbërëse". (A2 Televizion)