Grupet e lëvizshme te vaksinatorëve kanë nisur fushatën në Kukës për të vaksinuar popullatën kundër COVID-19. Përveç personave të pamundur për të lëvizur nga banesat e tyre, grupet e vaksinatorëve po sensibilizojnë edhe pjesën tjetër të popullatës, në veçanti studentët dhe të rinjtë për të marrë vaksinën.
Në përpjekje për të imunizuar të gjithë popullatën, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Kukës krahas vaksinimit në qendrat e vaksinimit prej të premtes ka nisur në qytet dhe fshatra vaksinimin "Shtëpi për Shtëpi" me grupe lëvizëse.
“Do shkojmë derë më derë, te personat që nuk mund të lëvizin si dhe studentët që kanë dyshime”, thotë Orsela Basha, koordinatore e fushatës së vaksinimit në Kukës.

Sa i përket vaksinimit në Kukës, koordinatorja Basha u shpreh se deri më tani ka ecur me ritme shumë të mira vaksinimi i personave me sëmundje kronike
“Kukësi ka regjistruar shifra të mira, rreth 96.7% të sëmurëve kronikë janë të vaksinuar, si dhe më shumë se 40% i studentëve”, vijon Basha.
Por pavarësisht apeleve dhe ngritjes së grupeve për vaksinim, në total në Kukës përqindja e popullatës së vaksinuar është më pak se gjysma, pasi nga 58 mijë banorë, deri më tani janë vaksinuar me dy doza vetëm 23 mijë prej tyre. (A2 Televizion)