Kukësi vuan për ujë. Banorët: Na vjen vetëm disa minuta dhe pa presion

Nga A2 CNN
20 Gusht 2020, 11:43 | Aktualitet

Banorët e qytetit të Kukësit, veç temperaturave të larta, po përballen këto ditë edhe me oraret mjaft të reduktuara të furnizimit me ujë nga rrjeti i ujësjellësit.

Madje banorët u shprehën se edhe ato pak minuta kur vjen uji nuk ka fare presion. Dhe si për ironi të fatit, kjo situatë ndodh pikërisht në një qytet që njihet për burimet e shumta ujore.

“Çfarë të bëjmë me 30 minuta ujë, nuk ngjitet uji fare në pallat, këtë vit e kemi pasur shumë problem”, thonë banoret e intervistuara.  

Kjo situatë i ka rikthyer banorët e qytetit te bidonat si dhe gjetjen e burimeve ujore për të kryer nevojat e përditshme në banesat e tyre.

Thatësira e tejzgjatur shikohet si një nga shkaqet e kësaj situate të furnizimit me ujë në qytetin verior. Por edhe lidhjet e paligjshme, defektet në linjën e ujësjellësit si dhe mospagesa e faturave të ujit të pijshëm, shikohen si faktorë kryesorë në situatën e krijuar.

Asllan Hoxha, drejtori i UK Kukës

“Ka ndërhyrje dhe shpërdorime, ka fshatra qe nuk paguajnë fare dhe vetëm kërkojnë furnizim. Shpresojmë se investimi ri që do të bëhet, me vlerë 2 miliardë lekë të furnizojë jo vetëm qytetin e Kukësit, por edhe fshatrat përreth”, thotë për A2 Asllan Hoxha, drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Kukës.  

Ndërkohë, gjatë aksionit të ndërmarrë nga Task Forca e ujësjellës-kanalizimeve, janë prerë  me qindra lidhje të jashtëligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos